Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve

Moto e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike:

Një pikë loti më pak, një buzëqeshje më shumë për fëmijët e Kosovës”

Reparti i kirurgjisë pediatrike është formuar në vitin 1972; kirurgu i parë i fëmijëve dhe shef i repartit ka qenë Prof dr Hajredin Ukelli (1936-1997). Pas tij është punësuar Ass dr Faik Kafexholli i cili punoi deri në pension (2004). Aktualisht në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike punojnë: Prof dr Nexhmi Hyseni (është aktualisht edhe drejtor i Klinikës), Prof dr Hasan Ahmeti, Ass dr Sadik Llullaku Dr.sc., Dr Murat Berisha Mr.sc., Dr Salih Grajçevci Mr.sc., Dr Sejdi Statovci Mr.sc. dhe Dr Gani Çeku.

Per momentin, pra, ka  7 specialistë të kirurgjisë pediatrike, prej tyre dy me tituj  akademik assoc. Profesor, një doktor shkence dhe tre magjistra të shkencave mjekësore.

Ka 5 specializantë të kirurgjisë pediatrike në repart.

Kryeinfermierja, Rabije Pireva, është ndër kryeinfermieret e para të Departamentit të Kirugjisë Pediatrike. Aktualisht punojnë edhe 20 infermiere. Kryeinstrumentarja e klinikës është Lindita Buqinca, bashkë me dy instrumentare tjera.

Në klinikën tonë bëjnë stazhin specialistik specializantë nga kirurgjia e përgjithshme, pediatria, neonatologjia, ortopedia, urologjia etj dhe stazhin e mjekut të përgjithshëm.

Këtu kryejnë ushtrimet studentët e degëve të Fakultetit të Mjekësisë.

Në vit mesatarisht trajtohen mbi 2800 pacientë të shtruar në repart dhe kryhen mbi 1700 operacione me anestezion të përgjithshëm.

Mjekët tanë kanë qëndruar në qendra të ndryshme rajonale dhe europiane për trajnime profesionale dhe kanë marrë pjesë në simpoziume të ndryshme. Kemi organizuar 5 workshope dhe simpoziume edhe me pjesëmarrje ndërkombëtare.Veç tjerash në Shtator të vitit 2007 është organizuar dhe mbajtur me sukses Kongresi Botëror i Kirurgjisë Pediatrike në lëminë e Kirurgjisë së Hypospadive me rreth 130 pjesëmarrës nga 27 shtete të Europës dhe Botës i akredituar nga Bordi Europian i urologjisë pediatrike me 18 pikë ACME . Vlen të theksohet se një organizim i tillë ndërkombëtar është i pari në Kosovë dhe njëkohësisht i pari i akredituar dhe i organizuar në bashkëpunim me Bordin Europian të Urologjisë.

 

KLINIKA e kirurgjisë pediatrike gjendet në krahun e majtë të katit përdhesë të  ndërtesës së Klinikës së kirurgjisë. Ka kapacitet prej 35-40 shtretër të pacientave.

Rastet emergjente pranohen përmes Qendrës Emergjente; specialistët dhe specializantët participojnë në kujdestari 24 orëshe në spital.

Rastet elektive pranohen përmes ambulancës specialistike dhe zyrës (administratës) së pranimit.

Kryejmë shërbime të konsiderueshme nga këto fusha:

1. kirurgjia neonatale (e të posalindurve)

2. kirurgjia abdominale

3. urologjia pediatrike

4. kirurgjia pediatrike emergjente dhe traumat e abdomenit

5. kirugjia ditore dhe shërbimet specialistike

Adresa: Klinika e Kirurgjisë Pediatrike

QKUK Prishtinë

Prishtinë, 10 000

Kosovë

Tel: 038 500 600 30 14